Lajm 29 Nov 12

Amnesty Pyet se Kush Ka Kryer Krime Lufte në Kosovë

Pas lirimit të tre ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, nga Tribunali i Hagës, Amnesty International pyet nëse dikush do të përgjigjet për krimet që janë kryer në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Amnesty International, AI, ka lëshuar një deklaratë pas lirimit të Ramush Haradinajt, ish-kryeministër i Kosovës, dhe dy bashkë të pandehurve Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj, duke ngritur pyetjen se kush është fajtor për krimet ndaj serbëve të Kosovës gjatë luftës.

“Aktgjykimi i sotshëm ngre pyetjen nëse siç ka vendosur gjykata sot, tre anëtarët e lartë të UÇK-së nuk janë fajtorë, kush atëherë ka kryer ato krime? A do të sillet ndonjëherë ndokush para drejtësisë?”, tha John Dalhuisen, drejtor i Programit për Europën dhe Azinë Qendrore në Amnesty International.

Trupi gjykues i Tribunalit të Hagës, ICTY, i shpalli Haradinajn, Brahimajn dhe Balajn të pafajshëm për pjesëmarrje në një aksion të përbashkët kriminal për të marrë nën kontrollin e UÇK-së, Kosovën perëndimore përmes kampeve të burgimit.

Treshja u shpall jofajtore edhe ndaj akuzave për torturim dhe vrasje të serbëve etnikë, romëve dhe shqiptarëve që dyshoheshin se kishin bashkëpunuar me serbët, në një kamp të UÇK-së në Jabllanicë në vitin 1998.

Sipas Amnesty Internatioal rreth 800 joshqiptarë dyshohen se janë rrëmbyer dhe vrarë nga anëtarë të UÇK-së dhe deri më tani vetëm disa prej atyre të dyshuar për përgjegjësi kriminale për këto rrëmbime janë gjykuar në Kosovë.

AI i ka bërë thirrje Misionit të Rendit të Ligjit të BE-së në Kosovë, EULEX, dhe autoriteteve të Kosovës “të bëjnë çdo gjë që munden për të siguruar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë”.

“EULEX-it ka për detyrë të hetojë dhe gjykojë krimet nën ligjin ndërkombëtar, përfshirë krimet e luftës dhe krimet ndaj njerëzimit. Por, në vitin 2009, EULEX-i i transferoi të 62 rastet për rrëmbime të anëtarëve të komuniteteve minoritare zyrave të prokurorive lokale, ku mbesin, pa asnjë hetim ose gjykim të mëtejshëm”, thotë AI.

“Autoritetet në Kosovë kanë treguar një mungesë të plotë vullneti politikë për të mbështetur hetimet dhe gjykimin e këtyre rrëmbimeve”, tha Dalhuisen.

“Kjo u bë e qartë përsëri në fillim të kësaj jave kur kryeministri Hashim Thaçi sfidoi të drejtën e EULEX-it për të arrestuar ish-komandantin e UÇK-së dhe ish-ministër i Transporteve,  Fatmir Limajn, për akuza për rrëmbime, burgosje dhe vrasje të shqiptarëve dhe serbëve”.

“Përballë një ndërhyrjeje të hapur politike në punën e drejtësisë nga ana e qeverisë së Kosovës, është e domosdoshme qe EULEX-i t’i marrë sërish ato 62 raste nën juridiksionin e tij për të siguruar që drejtësia mund të arrihet në Kosovë”, përfundon Dalhuisen.

blog comments powered by Disqus