Raporti për të drejtat e njeriut i Amnesty International, për vitin 2011, mirëpriti arrestimin e dy të arratisurve të fundit të ICTY, Ratko Mladic dhe Goran Hadzic, por paralajmëroi se shumë persona në rajon ende presin drejtësinë.
Raporti vjetor dokumenton gjendjen e të drejtave të njeriut në 155 vende dhe territore. Aty, viti 2011 përshkruhet si vit i trazuar.
“Miliona vetë dolën rrugëve duke kërkuar për liri, drejtësi dhe dinjitet - disa prej tyre kanë pasur fitore të paharrueshme”, thotë raporti.
Popuj në lëvizje
Sipas raportit, disa vende vazhdojnë të dërgojnë refugjatë dhe persona të zhvendosur brenda vendit, në vendet si Irak dhe Eritre, pavarësisht këshillave të Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë.
Serbia, për shembull, i ktheu me forcë romët në Kosovë, pavarësisht rrezikut për persekutim dhe diskriminim.
Në gjithë Europën, qindra mijëra njerëz mbesin të zhvendosur pas konflikteve që shoqëruan shpërbërjen e ish-Jugosllavisë dhe Bashkimit Europian.
Personat e zhvendosur e kanë shpesh të pamundur të kthehen, për shkak të statusit të tyre ligjor dhe praktikave diskriminuese ndaj të drejtave të tyre dhe pronësisë.
Diskriminimi
Gjykimet e mëparshme të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, siç ishte vendimi që veçimi i fëmijëve romë nëpër shkolla është diskriminim, nuk janë implementuar në disa vende, duke përfshirë Kroacinë.
Raporti thotë “legjislacioni, politikat, dhe praktikat diskriminuese ndaj romëve për të drejtën e tyre për banim, kanë mbetur në libra dhe komunitetet rome vazhdojnë të dëbohen me forcë në shumë vende në rajon, duke përfshirë Francën, Italinë dhe Serbinë”.
Ndëshkimi në situatat e post-konfliktit
Pavarësisht arrestimeve të dy të dyshuarve të fundit të paditur nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi, ka pasur progres të ngadalshëm në adresimin e mosndëshkimit për krime të kryera gjatë luftërave të viteve 1990-të. Ka pasur mungesë kapacitetit dhe përkushtimi, dhe disa hapa prapa.
Në Kroaci u bënë disa përpjekje nga Presidenti dhe autoritetet gjyqësore për të adresuar të shkuarën e luftës, por qeveria ka vepruar pak.
Figura kyç politike u përfshinë në sulme në drejtësinë ndërkombëtare dhe parlamenti miratoi ligjin për anulimin e aktpadive nga Serbia, që shkeli obligimin e Kroacisë për të bashkëpunuar me Serbinë për çështjet penale.
Bashkëpunimi rajonal u pengua gjithashtu nga dështimi për të hequr barrierat ligjore për ekstradimin e të dyshuarve të krimeve të luftës midis Bosnjës dhe Hercegovinës, Kroacisë, Serbisë dhe Malit të Zi.
Dhjetë vjet pas konfliktit të vitit 2001 në Maqedoni, rastet e krimeve e kthyera nga Tribunali u anuluan, pasi parlamenti miratoi një interpretim të ri të Ligjit të Amnistisë, që siguroi efektivisht imunitet nga prokuroria, në gjykatat vendore.
Në përfundim, raporti shënon se arrestimet e Ratko Mladicit dhe Goran Hadzcit dërguan një mesazh të fuqishëm, jo vetëm individëve të ndikuar, por në gjithë rajonin.
“Ishte mesazh shprese pas shumë vitesh pritjeje, por edhe një mesazh paralajmërues për të gjithë ata që mendonin se miqtë me influencë, fqinjët e fuqishëm, do t’i mbronin, ose mund t’i mbronin nga arritja e drejtësisë,” thotë raporti.
“Sidoqoftë, shumë njerëz në rajon ende dështuan të bënin lidhjen midis retorikës për të drejtat e njeriut dhe realitetit të implementimit të tyre… dhe shtetet individuale përsëri dështuan në obligimin e tyre primar për të siguruar të drejtat e njeriut për të gjithë”, përfundoi raporti.