Dy gjykata në Bosnjë dhe Hercegovinë kanë dhënë aktgjykime për krime lufte, për të cilat Vlatko Jarak u dënua me një vit burgim për krime në Stolac dhe Ranko Trivunovic u lirua nga akuza për krime kundër të burgosurve të luftës në Glamoc.
Gjykata e Kantonit në Mostar dënoi Vlatko Jarakun me një vit burg për krime ndaj civilëve boshnjakë në zonën e Stolacit.
Jarak, ish-anëtar i Brigadës Knez Domagoj e Këshillit të Mbrojtjes Kroate, HVO, u shpall fajtor për pjesëmarrje në burgosjen e paligjshme dhe dëbimin e detyruar të popullatës boshnjake nga Stolaci.
“Më 17 korrik 1993, i pandehuri arrestoi Maid Rudicin, Dzevad Avdicin dhe Mustafa Avdicin në fshatin Osanici, ua lidhi duar me tel me gjemba dhe i shau. Pastaj i çoi në shtëpinë e Vlatko Raguzit, duke e ditur që do të çoheshin në kampin në Dretelj”, tha kryesuesi i Trupit Gjykues, Hamo Kebo.
Dënimi i Jarakut mund të apelohet në Gjykatën Supreme të Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës.
Të enjten, Gjykata Supreme Federale liroi një serb të Bosnjës, Ranko Trivunovicin, nga akuzat për krime ndaj të burgosurve të luftës, të kryera në territorin e Glamocit.
Trivunovic, ish-ushtar i ushtrisë serbe të Bosnjës, u lirua nga akuzat se më 11 prill 1992, në fshatin Dolac, vrau Nikola Anicicin, një ushtar të Këshillit të Mbrojtjes Kroate nga Tomislavgradi.
Zorica Gogala, gjyqtarja kryesuese e Trupit Gjykues, tha se prokuroria dështoi të vërtetojë se Trivunovici ka kryer krimin.
“Gjykata nuk mund të gjente se vdekja e Anicicit ishte e shkaktuar nga veprimet e Trivunovicit”, shpjegoi Gogala.
Trivunovici më parë u shpall fajtor nga Gjykata e Kantonit në Livno, por ky vendim u apelua para Gjykatës Supreme të Federatës, që urdhëroi rigjykimin.